Komuna e Lipjanit për Projektin Integra
Komuna e Lipjanit në bashkëpunim me përfaqësuesit e projektit “Integra”, sot në sallën e Kuvendit Komunal kanë mbajtur sesion informues për thirrjen e publikuar për grantet që do të ndahen në kuadër të këtij projekti, ku janë prezantuar në detaje të gjitha fazat e projektit dhe procesi i aplikimit.
Nënkryetari i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi tha se është i nderuar që ky projekt po implementohet në komunën tonë, duke theksuar se ky projekt dhe projekte të tjera të kësaj natyre do të gjejnë gjithmonë mbështetjen e komunës.
“Më vjen mirë që po e shoh këtë sallë sot të mbushur plot, e që do të thotë se ka interesim të madh për të qenë përfitues nga ky projekt. Siç e dimë fillimi i çdo biznesi është i vështirë, prandaj çdo ndihmë që vjen në këtë fazë fillestare është e mirëseardhur për secilin. Përmes këtij projekti do të mbështeten disa ide biznesi të cilat do të krijojnë të ardhura për familjet dhe do të ndikojnë në përmirësimin e standardit të tyre jetësor” është shprehur nënkryetari Bytyqi, duke u uruar suksese të gjithë atyre që do të jenë përfitues të granteve nga ky projekt.
Projekti “Integra” financohet nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik – BMZ dhe po zbatohet nga Fondacioni për Zhvillim të Qëndrueshëm Ekonomik – PREDA Plus Kosovë në partneritet me Komunën e Lipjanit, WEntrepreneur Kosovë dhe me mbështetjen e Arbeiter Samariter Bund – ASB.