Qendrat e Aftësimit Profesional të Kosovës marrin pajisje vitale për zhvillimin e aftësive
Në Prizren u organizua ceremonia për dorëzimin e pajisjeve për Qendrat e Aftësimit Profesional në Kosovë.
Kjo iniciativë është rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm midis Projektit INTEGRA, Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK), Qendrave për Aftësim Profesional (QAP), dhe gjithashtu përmes mbështetjes së komunave partnere. Fokusi kryesor i këtij bashkëpunimi është Komponenti 4 i Projektit, i cili synon sigurimin e kompetencave, kualifikimin dhe rikualifikimin e 50 përfituesve të përzgjedhur përmes aftësimit profesional.
Përmes Qendrave për Aftësim Profesional (QAP) në Kosovë, 50 kandidatë janë trajnuar dhe certifikuar në fusha të ndryshme profesionale. Ky grup përfshinë jo vetëm persona të riatdhesuar, por edhe ata që janë në rrezik të largohen. Trajnimi i tyre ka përfshirë fusha të ndryshme si: gastronomi, rrobaqepësi, parukeri, ndërtimtari, elektrikë, dhe shumë profesione të tjera. Sot, këta individë të kualifikuar janë profesionistë të rinj të gatshëm dhe të përgatitur për tregun e punës në Kosovë.
Qendrat regjionale për aftësim professional të Kosovës tani janë të pajisura me pajisje të reja për aftësim të kandidatëve të ardhshëm.
Kjo ngjarje simbolizon një progres thelbësor drejt zhvillimit të aftësive profesionale dhe stabilitetit ekonomik të vendit. Kjo, poashtu nënkupton një të ardhme premtuese për fuqinë punëtore dhe ekonominë e Kosovës.