Konferenca e fillimit të Projektit
Më 31 Janar, 2023, Prizreni ka qenё nikoqir i Konferencës Fillimtare, në të cilën pёr herё tё parë u prezantua projekti “Nxitja e riintegrimit të qëndrueshëm lokal të grave dhe të rinjve të kthyer dhe njerëzve të cenueshëm lokalë në Kosovë”, i njohur gjithashtu si INTEGRA. Ky projekt është përgatitur dhe po zbatohet nga Fondacioni për Zhvillim të Qëndrueshëm Ekonomik – PREDA Plus në partneritet me WEntrepreneur dhe me mbështetjen e Arbeiter Samariter Bund – ASB. Ky është një projekt i financuar përmes “Perspektive Heimat” ose “Perspektiva Atdhe” nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik – BMZ.
Projekti “Nxitja e riintegrimit të qëndrueshëm lokal të grave dhe të rinjve të kthyer dhe njerëzve të cenueshëm lokalë në Kosovë” zgjat deri më 31 gusht 2025. Ky projekt synon integrimin social dhe ekonomik në vendin e origjinës të të kthyerve, si dhe grupeve në rrezik, duke iu krijuar një perspektivë për të qëndruar, nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve, punësimit dhe vetëpunësimit, që do t’u mundësojë atyre të gjenerojnë të ardhura për familjet e tyre dhe të ndërtojnë jetën e tyre në Kosovë.
Për të përmbushur këto objektiva, PREDA Plus Kosovë në partneritet me WEntrepreneur dhe me mbështetjen e Arbeiter Samariter Bund – ASB do të zbatojnë aktivitetet e projektit në bashkëpunim me 11 komuna. Komunat partnere në këtë projekt janë: Drenasi, Graçanica, Istogu, Klina, Lipjani, Malisheva, Mitrovica e Jugut, Prizreni, Rahoveci, Suhareka dhe Vushtrria.
Në konferencën fillimtare, përveç zyrtarëve komunalë, ishin tё ftuar edhe përfaqësues të Ambasadës Gjermane në Kosovë, Agjencisë për Punësim në Kosovë, Ministrisë për Punë të Mbrendshme, GIZ dhe bashkëpuntorë të tjerë të Projektit.
Rreth 50 pjesëmarrës në konferencë kishin mundësinë të njihen më mirë rreth aktiviteteve të ardhshme si dhe mbështetjen që ata mund të presin nga Projekti në të ardhmen.